Myologia - Muskujt e Kokës dhe Qafës PDF

Document Details

SoftCynicalRealism7809

Uploaded by SoftCynicalRealism7809

Fakulteti i Mjekësisë

Tags

anatomy muscles human body biology

Summary

This document outlines the muscles of the head and neck, categorizing them into groups such as chewing muscles and facial muscles. It details the origins, insertions, and functions of various muscles, including the temporal, masseter, pterygoid, and various muscles around the eyes, ears and mouth. The document also includes the different layers of fascia and their role in muscle support.

Full Transcript

MYOLOGIA Muskujt e kokës Muskujt e kokës ndahen në dy grupe: - Muskujt e përtypjes, - Muskujt e mimikës. Muskujt e përtypjes 1. M. Temporalis ka formë rrethore dhe zë hapësirën e fossa temporalis. Fillon nga fossa temporalis në linea temporalis inferior, fijet muskulore konvergo...

MYOLOGIA Muskujt e kokës Muskujt e kokës ndahen në dy grupe: - Muskujt e përtypjes, - Muskujt e mimikës. Muskujt e përtypjes 1. M. Temporalis ka formë rrethore dhe zë hapësirën e fossa temporalis. Fillon nga fossa temporalis në linea temporalis inferior, fijet muskulore konvergojnë në processus coronoideus mandibulae. Muskuli temporal mbulohet nga fascia temporalis që ka dy fletë: sipërfaqësore dhe e thellë. 2. M. Masseter fillon me dy tufa; sipërfaqësore dhe e thellë. Tufa sipërfaqësore fillon nga ¾ e përparme dhe të poshtme të harkut zigomatik, në drejtim poshtë – prapa përfundon në tuberositas masseterica. Tufa e thellë fillon nga faqja e brendshme e harkut zigomatik dhe përfundon në pjesën e jashtme të procesit koronoid të mandibulës. Muskuli maseter mbulohet nga fascia masseterica. 3. M. Pterygoideus lateralis është muskul i shkurtër me drejtim transversal, që fillon nga ala major e kockës sfenoide, crista sphenotemporalis, dhe lamina lateralis e proceseve pterigoide. M. pterigoid lateral përfundon në fovea pterygoidea mandibulae. 4. M. Pterygoideus medialis ka formë trekëndëshe dhe vendoset prapa m. pterigoid lateral. Fijet muskulare fillojnë nga fovea pterygoidea dhe mbarojnë në tuberositas pterygoidea mandibulae. Muskujt e përtypjes lëvizin nofullën e poshtme në drejtime të ndryshme. Muskujt temporal, maseter dhe pterigoid medial, ngrejnë lart nofullën e poshtme. Muskujt e calvaria crani Calvaria crani shtrihet nga vetullat deri tek kockat oksipitale. - M. Occipito – frontalis ka formë katërkëndëshe dhe përbëhet dy barqe; venter occipitalis dhe venter frontalis. - M. Procerus fillon nga kërci anësor i hundës dhe nga os nasale, ngjitet lart, kryqëzohet me venter frontalis m. occcipito – frontalis dhe mbaron në hapësirën ndërmjet dy vetullave. M. procerus tërheq poshtë lëkurën mes vetullave. Muskujt e mimikës Muskujt e mimikës kanë disa karakteristika të përbashkëta: - Fiksohen në lëkurë, - Inervohen nga nervi facial, - Vendosen rreth zgavrave të fytyrës dhe i ngushtojnë ose i zgjerojnë ato. Muskujt e mimikës ndahen në: a. Muskujt rreth orbitës, b. Muskujt e llapës së veshit, c. Muskujt e hundës, d. Muskujt rreth gojës dhe buzëve. Muskujt rreth orbitës: - M. Orbicularis occuli ndahet në 3 pjesë: - Pars orbitalis, - Pars palpebralis, - Pars lacrimalis. Pars orbitalis – Nga lig. palpebrale mediale fijet muskulare formojnë një elips të plotë përreth orbitës dhe mbarojnë tek lig. palpebrale mediale. Pars palpebralis – Fillon nga lig. palpebrale mediale dhe fijet muskulare vendosen nën lëkurën e qepallave duke përfunduar lart dhe poshtë lig. palpebrale laterale në këndin lateral të syrit. Pars lacrimalis – fillon nga crista lacrimalis posterior dhe mbaron në faqen e pasme të lig. palpebrale mediale ku ndahet në dy pjesë. Muskuli orbikularis okuli mbyll rima occuli dhe zbraz lotët për në kanalin lakrimal, duke shtrydhur sakusin lakrimal. - M. Corrugator supercilii vendoset nën lëkurën e vetullave i mbuluar nga venter frontalis dhe mbaron në lëkurën e vetullave. Ky muskul tërheq medialisht lëkurën e vetullave. Muskujt rreth veshit: - M. Auricularis anterior, - M. Auricularis posterior, - M. Auricularis superior. Muskujt e hundës: 1. M. Compressor nasi ka formë trekëndëshe; fillon nga shpina e hundës dhe mbaron në sulcus nasolabialis. Ky muskul tërheq lëkurën e flegrave të hundës dhe zgjeron vrimat e saj. 2. M. Dilatator naris vendoset mbi flegrat e hundës dhe fillon nga sulcus nasolabialis me drejtim për në buzën anësore të nares përkatëse. Ky muskul zgjeron vrimat e hundës (nares). 3. M. Depressor septi nasi fillon nga harku alveolar i sipërm me drejtim për në buzën e pasme të vrimës së hundës. Ky muskul ul flegrën e hundës dhe e ngushton transversalisht. Muskujt rreth gojës dhe buzëve: 1. M. Levator anguli oris fillon nga fossa canina dhe mbaron në lëkurën e këndit të gojës dhe në buzën e poshtme. Ky muskul ngre këndin e gojës. 2. M. Buccinator ka formë katërkëndëshe dhe fillon nga buza alveolare e nofullave përgjatë tre dhëmballëve të fundit; fijet muskulare drejtohen nga prapa – përpara duke formuar gërmën “U” dhe muskuli mbaron në lëkurën e këndit të gojës në 1/3 anësore. Ky muskul tërheq prapa këndin e gojës duke hapur transversalisht rima oris; gjithashtu prodhon fishkëllimën. 3. M. Depressor labii inferioris fillon nga linea obliqua mandibulae, drejtohet pjerrtas – lart dhe përfundon në lëkurën e buzës së poshtme. Ky muskul tërheq poshtë dhe anash lëkurën e buzës së poshtme. 4. M. Mentalis fillon nga alveolat e dy dhëmbëve incizivë dhe të kaninit; drejtohet poshtë dhe mbaron në lëkurën e mjekrës. Ky muskul tërheq lart lëkurën e mjekrës. 5. M. Levator labii superior alaeque nasi është muskul i gjerë me dy pjesë: - Pjesa sipërfaqësore fillon nga procesi frontal i maksilës dhe mbaron në buzën e pasme të flegrës së hundës, - Pjesa e thellë fillon nga gjysma mediale e buzës së poshtme të orbitës; drejtohet nga poshtë dhe mbaron në lëkurën e pasme të flegrës së hundës dhe në buzën e sipërme. Muskuli levator labii superior alaeque nasi ngre lart buzën e sipërme dhe flegrën e hundës. 6. M. Zygomaticus minor fillon nga faqja e jashtme e kockës zigomatike dhe mbaron në lëkurën e buzës së sipërme. Ky muskul ngre buzën e sipërme anash. 7. M. Zygomaticus major fillon anash m. zygomaticus minor nga faqja e përparme e kockës zigomatike; drejtohet poshtë pjerrtas, ndërkohë kryqëzon medialisht m. buccinator dhe mbaron në lëkurën e këndit të gojës. Ky muskul tërheq anash dhe lart këndin e gojës. 8. M. Risorius fillon nga fascia parotidea dhe vazhdon deri në lëkurën e këndit të gojës. Ky muskul tërheq anash dhe prapa këndin e gojës. 9. M. depressor anguli oris ka formë trekëndëshe dhe fillon nga pjesa e përparme e linea obliqua mandibulae; drejtohet dhe përfundon tek këndi i gojës ku kryqëzohet me m. buccinator dhe m. zygomaticus major. Ky muskul tërheq poshtë këndin e gojës. 10. M. orbicularis oris është muskul eliptik që rrethon rima oris. Ky muskul mbyll rima oris. Muskujt e qafës 1. Grupi sipërfaqësor: - M. Platysma është muskul i hollë dhe i gjerë që shtrihet prej toraksit deri në nofullën e poshtme dhe në faqe. Fillon përgjatë spina scapulae, fijet muskulare drejtohen lart dhe mbarojnë nën lëkurë nga mjekra deri në pjesën e pasme të nofullës së poshtme. Platizma tërheq poshtë lëkurën e mjekrës dhe komisurën e buzëve. 2. Grupi i përparmë anësor: - M. Sternocleidomastoideus shtrihet nga sternumi dhe klavikula për në procesin mastoid. Fillon me tendin nga manubrium sterni (buza e sipërme) dhe ¼ mediale e klavikulës; fijet muskulare drejtohen lart kryqëzojnë muskujt e thellë të qafës dhe mbërrijnë në procesin mastoid në 2/3 laterale të linea nuchae superior. Ky muskul përkul dhe rrotullon kokën nga ana e tkurrjes; kur tkurren njëkohësisht të dy muskujt përkul kokën prapa. 3. Muskujt infrahioidë: a. M. Sternothyroideus shtrihet përpara laringut dhe gjendrrës tiroide, prej sternumit deri tek kërci tiroid, fijet muskulare fillojnë nga manubrium sterni dhe kërci i brinjës së parë dhe mbarojnë tek kërci tiroid. b. M. Thyreohyoideus është muskul i hollë me formë katërkëndëshe, që fillon prej kërcit tiroid, deri në kockën hioide. c. M. Sternohyoideus vendoset përpara dy muskujve të mësipërm; fillon nga faqja e pasme e pjesës sternale të klavikulës dhe manubrium sterni, duke përfunduar në buzën e poshtme të kockës hioide. d. M. omohyoideus ka dy barqe: venter inferior et superior. Venter inferior fillon nga buza e sipërme e skapulës, medialisht incisura scapulae; fijet muskulare shkojnë lart dhe mbulojne mm. scaleni, kryqëzon venën jugularis interna dhe bashkohet nëpërmjet tendinit të ndërmjetëm me venter superior. Venter superior fillon nga tendini i ndërmjetëm; fijet muskulare shkojnë lart dhe mbarojnë në buzën e poshtme të kockës hioide. Muskujt infrahioidë ulin kockën hioide, ndërsa m. sternotiroid ul laringun. Veprimi sinergjik i gjithë muskujve infrahioidë indirekt ul nofullën e poshtme. 4. Muskujt suprahyoidë: a. M. Digastricus ka dy barqe: venter posterior dhe venter anterior. Venter posterior fillon nga incisura mastoidea; zbret poshtë në afërsi të kockës hioide, ku kalon në tendin nga i cili fillon venter anterior që mbaron në fossa digastrica mandibulae. b. M. Stylohyoideus fillon nga procesi stiloid; zbret në drejtim të pjerrët dhe mbaron në faqen e përparme të kockës hioide. Muskujt digastrik dhe stilohioid ngrejnë lart kockën hioide. c. M. Mylohyoideus – vendoset në faqen e brendshme të mandibulës. Fillon nga linea mylohyoidea; bashkohet me muskulin tjetër simetrik në vijën e mesit duke formuar raphe musculares dhe mbaron në buzën e përparme të kockës hioide. d. M. Geniohyoideus është muskul i shkurtër që fillon nga spina mandibulae lart dhe mbaron në faqen e përparme të kockës hioide. Muskuli milohioid, muskuli geniohioid dhe venter anterior i muskulit digastrik ulin nofullën e poshtme kur kocka hioide është e fiksuar dhe ngrejnë kockën hioide kur ndryshohet pika fikse. Këta muskuj marrin pjesë dhe ndihmjnë në proceset fiziologjike të gëlltitjes dhe të folurit. 5. Muskujt e thellë anësorë (3 muskujt skalenë në formë shkalle): 1. M. Scalenus anterior fillon në tuberculum anterior të vertebrave C3 – C6 me tendine dhe mbaron në një tufë të vetme në tuberculum musculi scaleni anterioris në buzën mediale të brinjës së parë. 2. M. scalenus medius vendoset prapa dhe anash m. scalenus anterior dhe fillon prej tuberculum anterior të vertebrave C2 – C5; fijet muskulare drejtohen poshtë dhe mbarojnë në brinjën e parë, anash sulcus arteria subclavia. 3. M. scalenus posterior fillon nga tuberkulumet posterior të vertebrave C4 – C6 dhe drejtohet poshtë – prapa m. scalenus medius; duke përfunduar në faqen e sipërme të brinjës së dytë në tuberositas musculus serrati anterior. Në qoftë se pika fikse është në kolonën cervikale, muskujt skalenë ngrejnë brinjët (janë muskuj respiratorë); në të kundërtën, kur pika fikse janë brinjët, përkulin pjesën cervikale të kolonës vertebrale. 6. Muskujt prevertebralë: 1. M. Longus colli fillon nga trupi i vertebrave T1- T3 dhe C5 – C7 dhe mbaron lart në trupin e C2 – C4. Ky muskul përkul pjesën cervikale të kolonës vertebrale. 2. M. Rectus capitis fillon nga procesi transversal i atlasit dhe mbaron në pjesën bazilare të os occipitale. Ky muskul përkul kokën. 3. M. Longus capitis fillon nga tuberculum anterior i vertebrave C3 – C6 me 4 tufa tendinoze dhe mbaron në pars bazilaris të oc occipitale. Ky muskul përkul kokën. Fasciet e qafës 1. Fascia colli superficialis Fascia colli superficialis është ë hollë; fillon nga manubrium sterni, klavikula, spina scapulae në pjesën e poshtme të saj, më tej ngjitet lart duke u fiksuar në basis mandibulae, ramus mandibulae dhe proceset mastoidë. Kjo fascie jep derivatet e saj në toraks dhe fytyrë, të cilat quhen përkatësisht fascia thoracica superficialis dhe fascia parotidea – masseterica. Fascia colli superficialis formon një këllëf për m. platysma, ndërsa derivati i saj, fascia parotidea – masseterica formon këllëf për muskujt e përtypjes dhe gjendrrën parotis. 2. Fascia colli propria Fascia colli propria ka natyrë fibroze dhe është më e trashë se fascia colli superficialis. Fascia colli propria fiksohet në manubrium sterni, klavikul, procesin acromial, spina scapulae dhe në procesin spinoz të vertebrës C7. Fascia colli propria lëshon në pjesën e brëndshme anësore të saj nga një septum në çdo anë, i cili fiksohet në proceset kosto – transversale të vertebrave cervikale; duke e ndarë qafën në një pjesë të përparme dhe një pjesë të pasme. Fascia colli propria formon një këllëf fascial; në pjesën e përparme për muskulin sternocleidomastoid dhe në pjesën e pasme për muskulin trapezius. 3. Aponeuroza omoklavikulare Aponeuroza omoklavikulare është një fletë aponeurotike në formë trekëndëshi. Baza e këtij trekëndëshi është buza e pasme e manubrium sterni dhe klavikula bashkë me acromion scapulae. Kulmi i këtij trekëndëshi është trupi i kockës hioide, ndërsa brinjët laterale të tij janë muskujt omohioidë. Strukturat e lartpërmendura janë vendet e fiksimit të fascies aponeurotike. Aponeuroza omoklavikulare formon një këllëf për të gjithë muskujt infrahioidë. Midis aponeurozës omoklavikulare dhe fascies endocervikale formohet hapësira suprasternale, ku gjenden degë venoze të sistemit jugular që formojnë arcus venosus juguli. 4. Fascia endocervikale Fascia endocervikale përbëhet nga lamina parietalis dhe lamina visceralis. Lamina visceralis vesh më vete secilin prej organeve të qafës, ndërsa lamina parietalis i mbështjell më sipërfaqësisht të gjitha së bashku. Në pjesën e përparme, atje ku lamina parietale ka raport me lamina viscerale të gjendrrës tiroide, laringut dhe trakesë, formohet një hapësirë që quhet spatium previsceralis; hapësirë e cila lidhet me mediastinin anterior. 5. Fascia prevertebralis Fascia prevertebralis mbështetet në pjesën e përparme të vertebrave dhe anash formon këllëf për muskujt e thellë të qafës. Ndërmjet kësaj fascieje dhe fascies endocervikale që ndodhet në pjesën e pasme të ezofagut formohet një hapësirë që quhet spatium retroesophageale, e cila komunikon me mediastinin posterior. Topografia e qafës Qafa kufizohet nga lart: mjekra, buza e poshtme e mandibulës, dega (ramus) e mandibulës deri në meatus acusticus externus, procesi stiloid dhe linea nuchae superior. Kufiri i poshtëm: manubrium sterni, klavikula, acromion scapulae, deri në procesin spinoz të vertebrës C7. Qafa ndahet në regio colli anterior dhe regio colli posterior. Në regio colli anterior formohen disa trekëndësha: a. Trigonum colli mediale: - Lart – mandibula, - Anash – m. Sternocleidomastoideus, - Medialisht – linea alba colli. b. Trigonum colli laterale: - Përpara – buza laterale e m. Sternocleidomastoideus, - Prapa – m. Trapezius, - Poshtë – buza e sipërme e klavikulës. Në trigonum colli mediale dallohen: 1. Trigonum submandibulare, i cili kufizohet: - Lart – buza e poshtme e mandibulës, - Përpara dhe prapa – venter anterior et posterior m. Digastrici. Në trigonum submandibulare gjendet glandula submandibulare; kalon dhe nervi hipoglos, i cili kufizon trigonum Pirogov, ku ligohet arteria linguale, në rastet e hemorragjive masive nga gjuha. 2. Trigonum caroticum kufizohet: - Lart e përpara – venter posterior m. digastrici, - Poshtë e përpara – buza mediale e m. Sternocleidomastoideus. Në trigonum caroticum shtypet arteria carotis mbi tuberculum caroticum të vertebrës C6 në rast hemoragjie masive. 3. Trigonum omotracheale kufizohet: - Lart dhe anash – venter superior i m. Omohyoideus, - Poshtë dhe anash – buza mediale e m. Sternocleidomastoideus, - Medialisht – linea alba colli. Trigonum colli laterale ndahet në dy trekëndësha, si rezultat i kalimit të venter inferior të m. Omohyoideus. 4. Trigonum omotrapezoideum kufizohet: - Prapa – buza e përparme e m. Trapezius, - Përpara – buza laterale e m. Sternocleidomastoideus, - Poshtë – venter inferior m. Omohyoideus. 5. Trigonum omoclaviculare kufizohet: - Lart – venter inferior i m. Digastricus, - Poshtë – klavikula, - Përpara – m. Sternocleidomastoideus. Muskujt e krahërorit Muskujt e krahërorit (thorax) organizohen në tre shtresa: - Shtresa e I – m. Pectoralis major, - Shtresa e II – m. Pectoralis minor dhe m. Subclavius, - Shtresa e III – m. Serratus anterior. M. Pectoralis major përbëhet nga tre pjesë: - Pars clavicularis, - Pars sternocostalis, - Pars abdominalis. Pars clavicularis fillon nga 2/3 mediale të buzës së përparme të klavikulës. Pars sternocostalis në sipërfaqen e përparme të manubrium sterni dhe nga pjesa kockore e brinjëve 2 – 6-të. Pars abdominalis fillon në pjesën e përparme të vaginës së m. rectus abdominis dhe pjesërisht nga processus xiphoideus. Të gjitha tufat muskulare bashkohen duke kaluar nga ana mediale në anën laterale dhe fiksohen me një tendin në crista tuberculi majoris humeri. Muskuli pektoralis major shkakton afrimin e krahur dhe tërheqjen nga përpara; kur ndryshon pika fikse ngre lart brinjët (muskul inspirator). M. Pectoralis minor ka formë trekëndëshe dhe mbulohet nga muskuli pektoralis major. Fijet muskulore fillojnë nga sipërfaqet e përparme të brinjëve 2 – 5; pastaj drejtohen lart dhe përfundojnë në processus coracoideus scapulae. Ky muskul ul poshtë dhe përpara krahun, ose ngre lart brinjët, kur pika fikse është procesi korakoid (muskul inspirator). M. Subclavius vendoset ndërmjet klavikulës pranë pjesës sternale dhe fiksohet në brinjën e parë. Ky muskul fikson artikulacionin sternoklavikular. M. Serratus anterior ka formë katërkëndëshi të çrregullt. Muskuli serratus anterior fillon me 8 – 9 dhëmbë në sipërfaqen e përparme të brinjëve 1 – 9-të; dhëmbët e poshtëm ingranohen me 5 dhëmbët e sipërm të m. obliquus abdominis externum dhe fijet muskulare fiksohen me tendin të gjërë në margo medialis scapulae, duke formuar murin medial të gropës aksilare. Ky muskul ndihmon në fiksimin e skapulës dhe lëvizjen e saj pak përpara si edhe në ngritjen e brinjëve (muskul inspirator). Muskujt e vërtetë të kafazit të krahërorit Muskujt e vërtetë të kafazit të krahërorit fillojnë dhe fiksohen në toraks. Këta muskuj janë: 1. Mm. intercostales externi fillojnë nga buza e poshtme e brinjëve larg nga tuberculum costae dhe fiksohen në buzën e sipërme të brinjës fqinjë. 2. Mm. intercostales interni kanë drejtim të kundërt me mm. intercostales externi. Fijet fillojnë nga buza e sipërme e brinjëve të mëposhtme dhe fiksohen në buzën e poshtme e të brendshme të brinjëve të mësipërme. Këta muskuj shtrihen deri në sternum; prapa arrijnë deri në këndin e brinjëve. Muskujt interkostalë eksternë ngrenë brinjët (muskuj inspiratorë), ndërsa muskujt interkostalë internë ulin brinjët (muskuj ekspiratorë). 3. Mm. levatorum costarum ndahen në: - Muskuj të gjatë, - Muskuj të shkurtër. Muskujt e gjatë fillojnë nga proceset transversale të vertebrave dhe fiksohen në një brinjë më poshtë. Muskujt e shkurtër fiksohen në këndin e brinjës përkatëse Këta muskuj ngrenë brinjët (muskuj inspiratorë). 4. Mm. subcostales kanë forma të ndryshme, me drejtim nga lart – poshtë dhe vendosen në pjesën e poshtme të krahërorit. Këta muskuj ngrenë brinjët (muskuj inspiratorë). 5. M. Transversus thoracis vendoset në faqen e brëndshme të krahërorit si vazhdim i m. transversus abdominis. Ky muskul ndihmon në frymëmarrje dhe ul kërcet e brinjëve (muskul inspirator). Muskujt e shpinës Muskujt e shpinës ndahen në tre kategori: - Muskujt sipërfaqësorë, - Muskujt e thellë. Muskujt sipërfaqësorë ndahen në tre shtresa: - Shtresa e I, - Shtresa e II, - Shtresa e III. Shtresa e I M. Trapezius është muskul i sheshtë dhe i gjërë me formë trapezi. Muskuli trapezius fillon nga protuberantia occipitalis externa, linea nuchae superior, lig. nuchae dhe lig. supraspinatus. Këto fillime tendinoze kanë formën e rombit. Fijet muskulare mbarojnë në spina scapulae dhe acromion. Muskuli trapezius afron shpatullën pranë shtyllës kurrizore kur tkurren fijet e mesme; ngre shpatullën kur tkurren fijet e sipërme dhe ul shpatullën kur tkurren fijet e poshtme. Kur tkurren të dy muskujt, përkulet koka prapa. M. Latissimus dorsi është muskuli më i gjërë i shpinës, i cili fillon nga fascia thoraco – lumbalis, lidhet me proceset spinoze të vertebrave lumbare dhe vertebrave T9 – T12, nga crista sacralis mediana dhe labium externum i crista iliaca. Fijet muskulare të poshtme drejtohen lart dhe anash; fijet e sipërme drejtohen horizontalisht në faqen anësore të krahërorit dhe mbërrijnë të gjitha në crista tuberculi minoris humeri. Muskuli latissimus dorsi afron krahun pranë trungut, duke e rrotulluar nga brenda. Shtresa e II M. Rhomboideus ka formë rombi dhe vendoset poshtë m. trapezius. Ky muskul fillon nga proceset spinoze të C6 – C7 dhe T1 – T4; fijet muskulare përfundojnë në margo medialis scapulae. Muskuli rhomboid përbëhet nga dy pjesë: - M. Rhomboideus minor – fillon nga dy vertebrat cervikale (C6 – C7), - M. Rhomboideus major – fillon nga katër vertebrat torakale (T1 – T4). M. Levator scapulae fillon me 4 dhëmbëza nga tuberkulumet posteriore të vertebrave C1 – C4 dhe fijet muskulare mbarojnë në këndin medial të skapulës. Ky muskul ngre shpatullën. Shtresa e III M. Serratus posterior – superior fillon nga lig. nuchae dhe proceset spinoze të C6 – C7 dhe T1 – T2 dhe fijet muskulare përfundojnë me 4 dhëmbëza në brinjët 2 – 5. Ky muskul ngre brinjët. M. Serratus posterior – inferior fillon nga proceset spinoze të vertebrave T11 – T1 dhe L1 – L2, fijet muskulare shkojnë anash e lart dhe mbarojnë me 4 dhëmbëza në 4 brinjët e poshtme. Ky muskul ul brinjët e poshtme. Muskujt e thellë të shpinës Muskujt e thellë të shpinës ndahen: - Muskuj të gjatë, - Muskuj të shkurtër. Muskujt e gjatë ndahen në dy grupe: - Spinotransversalë (fillojnë në proceset spinoze të vertebrave dhe nga brinjët dhe përfundojnë në proceset transversale të vertebrave), - Transversospinalë (fillojnë në proceset transversale të vertebrave dhe përfundojnë në proceset spinoze të vertebrave). M. Splenius ka formë trekëndëshi dhe mbulohet nga muskuli trapezius dhe pjesërisht nga muskuli romboideus. Muskuli splenius ndahet në dy pjesë: a. M. Splenius capitis fillon nga lig. nuchae dhe mbaron në linea nuchae superior. b. M. Splenius cervicis fillon nga proceset spinoze të vertebrave T3 – T5 dhe mbaron në tuberkulumet e pasme të vertebrave C2 – C3. Muskuli splenius përkul kokën dhe qafën prapa kur tkurren të dy muskujt; kur tkurret vetëm njëra anë, koka rrotullohet në anën e kundërt. M. Sacrospinalis (M. erector spinae) është muskuli drejtues i shpinës. Ky muskul është shumë i fuqishëm dhe më i gjati i shpinës, që shtrihet nga sakrumi, deri në os occipitale. Muskuli sakrospinal përbëhet nga tre pjesë: 1. Pjesa anësore – M. Iliocostalis, 2. Pjesa mediale – M. Spinalis, 3. Pjesa e ndërmjetme – M. Longissimus. M. Iliocostalis ndahet në tre pjesë: a. M. Iliocostalis lumborum fillon nga crista iliaca, fascia thoraco- lumbaris, crista sacralis lateralis, vazhdon anash dhe lart me 8 – 9 dhëmbë që mbarojnë me tendine në 8 – 9 brinjët e poshtme tek këndi i tyre (angulus costae). b. M. Iliocostalis thoracis fillon pranë këndit të brinjëve 5 – 6 dhe përfundon me tre dhëmbëza në tuberculum posterior të proceseve transversale të vertebrave C4 – C6. c. M. Iliocostalis cervicis fillon nga këndi i 5 – 7 brinjëve të sipërme dhe mbaron me tre dhëmbëza në tuberculum posterior të proceseve transversale të vertebrave C4 – C6. 2. M. Longissimus fillon nga kocka iliake deri në bazën e kafkës. Përbëhet nga dy pjesë: a. M. Longissimus thoracis fillon nga proceset transversale të të vertebrave lumbare dhe vertebrave T5 – T6 deri T12; vazhdon lart dhe mbaron në këndin e 10 brinjëve të poshtme. b. M. Longissimus cervicis fillon nga proceset transversale të 4 – 5 vertebrave të sipërme dhe vertebrave cervikale të poshtme dhe mbarojnë në proceset transversal të vertebrave C2 – C5. 3. M. Spinalis shtrihet përgjatë proceseve spinoze dhe përbëhet nga tre pjesë: a. M. Semispinalis thoracis (pjesa e I) - fillon nga vertebra L1 – L3 dhe mbaron tek vertebra T8 – T12. b. M. Semispinalis cervicis (pjesa e II) – fillon nga vertebra nga vertebra C4 dhe mbaron tek vertebra C2. c. M. Semispinalis capitis (pjesa e III) – fillon nga vertebra nga vertebra C2 dhe mbaron në planum occipitale. M. Transversospinalë mbulohen pjesërisht nga m. sacrospinalis dhe mbushin hapësirën ndërmjet proceseve spinoze dhe transversale. Muskujt transversospinalë ndahet në tre nëngrupe: Nëngrupi i parë – M. Semispinalë: a. M. Semispinalis thoracis, b. M. Semispinalis cervicis, c. M. Semispinalis capitis. Nëngrupi i dytë – Mm. Multifides Nëngrupi i tretë – Mm. Rotatores Nëngrupi i parë mbulon 4 – 6 procese spinoze. Nëngrupi i dytë mbulon 2 – 3 procese spinoze. Nëngrupi i tretë mbulon një proces spinoz. B. Muskujt e shkurtër të shpinës Mm. Interspinalë që janë tufa muskulare çifte të vendosura ndërmjet proceseve spinoze të dy vertebrave fqinjë. Këta muskuj drejtojnë kolonën vertebrale. Mm. Intertransversales janë tufa muskulare të shkurtëra që vendosen ndërmjet proceseve transversale të dy vertebrave fqinjë dhe kanë funksion të përforcojnë kolonën vertebrale. - Mm. Intervertebrales anteriores cervicis, - Mm. Intervertebrales posteriores cervicis. Mm. Occipitovertebrales (Mm. Suboccipitales): 1. M. Rectus capitis posterior major fillon nga procesi spinoz i vertebrës C2 dhe përfundon në linea nuchae superior. 2. M. Obliquus capitis inferior vendoset ndërmjet procesit spinoz të axis deri në procesin transversal të atlasit. 3. M. Obliquus capitis superior fillon nga procesi transversal i atlasit dhe mbaron më linea nuchae inferior. 4. M. Rectus capitis posterior minor fillon nga tuberculum posterior i atlasit deri në linea nuchae inferior. Këta muskuj përkulin kokën prapa gjatë tkurrjes së dyanshme. Muskujt e barkut Muskujt e barkut ndahen në dy grupe kryesore: - Muskuj të murit të përparmë, - Muskuj të murit të pasëm. Muskujt e murit të përparmë ndahen në dy grupe: - Muskuj të pjerrët, - Muskuj të drejtë. Muskujt e pjerrët: M. Obliquus abdominis externus ka formën e një pllake të gjërë muskulo – tendinoze që fillon me 7 – 8 dhëmbë nga 8 brinjët e poshtme në sipërfaqen e përparme të tyre, 5 dhëmbët ë sipërm ingranohen me dhëmbët e m. serratus anterior, ndërsa 3 dhëmbët e poshtëm ingranohen me dhëmbët e m. latissimus dorsi. Fijet muskulare formojnë në mes një pllakë aponeurotike. Në pjesën e poshtme aponeuroza fiksohet në spina iliaca anterior superior, labium externum të crista iliaca dhe tuberculum pubicum. Aponeuroza në buzën e saj të poshtme formon një palosje të kthyer nga brenda që quhet lig. inguinale, i cili fillon nga spina iliaca anterior superior dhe përfundon në tuberculum pubicum. Ky muskul formon murin e poshtëm dhe anësor të abdomenit. Midis m. obliquus abdominis externum dhe m. latissimus dorsi gjendet një çarje në formë trekëndëshi që quhet trigonum lumbare dhe mund të shërbejë si portë herniare. M. Obliquus abdominis internus fillon nga fascia thoraco – lumbaris dhe 2/3 anësore të lig. inguinale. Fijet muskulare të pjesës së sipërme drejtohen nga poshtë – lart si freskore dhe fiksohen në tre brinjët e poshtme. Fijet muskulare të pjesës së mesme kalojnë transversalisht dhe përfundojnë në aponeurozë e cila mbërrin në buzën laterale të m. rectus abdominis; ndahet në dy fletë që kalojnë përpara dhe prapa këtij, ndërsa bashkë me aponeurozën e muskulit tjetër simetrik formojnë linea alba abdominis dhe vaginën e m. rectus abdominis. Fijet muskulare që shkëputen prej këtij muskuli në nivelin e tuberculum pubicum kalojnë në funiculus spermaticus dhe formojnë muskulin cremaster. M. Transversus abdominis mbulohet nga m. obliquus abdominis internus dhe fillon me dhëmbë mishorë në sipërfaqen e brendshme të 6 brinjëve të poshtme, nga fascia thoraco – lumbaris, labium internum crista iliaca dhe 2/3 laterale e lig. inguinal. Fijet muskulare kanë drejtim transversal dhe kalojnë në aponeurozë të gjërë. Aponeuroza në pjesën e sipërme është e ngjitur me aponeurozën e m. obliquus abdominis internus dhe merr pjesë në formimin e vaginës së m. rectus abdominis. Pjesa e poshtme e aponeurozës ngjitet me aponeurozat e dy muskujve oblikë duke kaluar përpara m. rectus abdominis për të formuar vaginën e tij; ndërkohë që merr pjesë edhe në formimin e linea alba abdominis. Muskujt e drejtë: M. Rectus abdominis ka formë shiriti të gjatë dhe fillon nga kërcet e brinjëve 5 – 7-të dhe nga processus xiphoideus sterni, duke kaluar vertikalisht – poshtë fiksohet ndërmjet simfizës pubike dhe tuberculum pubicum. Fijet muskulore të m. rectus abdominis ndërpriten me shirita tendinozë transversalë, duke formuar interseziones tendinae. M. Pyramidalis fillon në sipërfaqen e përparme të kockës pubike dhe fiksohet në linea alba abdominis. Tkurrja e muskujve të barkut shkakton shtypjen e murit të barkut në të gjitha drejtimet dhe muri i përparmë i abdomenit quhet ndryshe edhe presa abdominale. Muskujt e rrethit të krahut 1. M. Deltoideus ka formën e gërmës greke Δ (delta). Ky muskul fillon nga skaji akromial i klavikulës dhe nga maja e akromionit; fijet muskulare të përparme kalojnë nga përpara – prapa; fijet e mesme drejtohen vertikalisht; fijet e pasme drejtohen nga prapa – përpara dhe në nivelin e ½ të faqes së përparme të humerusit fijet kalojnë në tendin që fiksohet në tuberositas deltoidea. Ky muskul largon krahun, kur tkurren fijet e përparme. 2. M. Subscapularis është muskul i gjërë në formë trekëndëshi, i vendosur në faqen e përparme të scapulës. Fillon me fije muskulare nga gjithë fossa subscapularis. Fijet muskulare drejtohen anash, duke u ngushtuar përpara kapsulës artikulare dhe fiksohen me një tendin të fortë në crista tuberculi minoris humeri (në vendin e fiksimit te tij gjendet një bursë mukoze). Muskuli subskapular rrotullon krahun nga brenda dhe e rrotullon atë. 3. M. Supraspinatus ka formë piramide trekëndëshe dhe fillon me fije muskulare nga 2/3 e brendshme të fossa supraspinata; drejtohet anash – poshtë art. acromioclavicularis dhe mbaron në tuberculum majus humeri. Ky muskul largon krahun dhe e rrotullon nga jashtë. 4. M. Infraspinatus ka formë trekëndëshe dhe fillon me fibra muskulare nga fossa infraspinata; drejtohet prapa artikulacionit të krahut dhe mbaron në pjesën e mesme të tuberculum majus. Ky muskul largon krahun dhe e rrotullon nga jashtë. 5. M. Teres minor është muskul i vogël i rrumbullakët, që fillon nga fossa infraspinata, nga faqja anësore e gjysmës së sipërme të buzës anësore të shpatullës dhe mbaron në pjesën e poshtme të tuberculum majus humeri. Ky muskul largon dhe rrotullon krahun nga jashtë. 6. M. Teres major ka formën e cilindrit dhe vendoset poshtë m. teres minor; fillon nga faqja e poshtme e angulus inferior scapulae dhe fijet drejtohen lart – anash duke përfunduar në crista tuberculi minoris. Ky muskul afron krahun pranë trupit dhe e rrotullon nga brenda. Muskujt e krahut Muskujt e krahut ndahen në dy grupe: - Grupi i përparmë – muskujt flektorë: a. M. Biceps brachii, b. M. Brachialis, c. M. Coracobrachialis. - Grupi i pasëm – muskujt ekstensorë: a. M. triceps brachii, b. M. Anconeus. Grupi i përparmë – muskujt fleksorë të krahut: M. Biceps brachii është muskul dykrerësh në formë boshti, i cili mbulon m. brachialis dhe m. coracobrachialis. Muskuli biceps ka dy pjesë; caput longum dhe caput breve dhe shtrihet prej shpatullës, deri në mes të radiusit. Caput longum fillon nga tuberculum supraglenoidalis scapulae, kalon në gropën artikulare të krahut dhe poshtë vendoset në sulcus intertubercularis. Caput breve fillon nga maja e processus coracoideus. Të dyja pjesët bashkohen duke formuar një trup muskulor, zbret në artikulacionin e bërrylit dhe mbarojnë në tuberositas radii. M. biceps brachii përkul parakrahun mbi krahun dhe është muskuli kryesor supinator. M. Brachialis vendoset nën m. biceps brachii dhe fillon me fije muskulare nga buza e përparme e faqes laterale dhe mediale të humerusit poshtë inserimit të m. deltoideus; kalon poshtë përpara artikulacionit të bërrylit dhe mbaron me tendin të gjërë në tuberositas ulnae. Ky muskul përkul parakrahun mbi krah. M. Coracobrachialis është muskul i hollë, i cili fillon nga procesi korakoid i skapulës dhe përfundon në siperfaqen e brendshme të humerusit, në nivelin e 1/3 së mesme. Ky muskul përkul krahun dhe e afron pranë trungut. Grupi i pasëm – muskujt ekstensorë: M. Triceps brachii shtrihet prej shpatullës dhe humerusit deri në olecranon ulnae. Muskuli triceps ka tre krerë të veçantë; njëra nga të cilat është më e gjatë, caput longum; dy të tjerat vendosen anash: caput laterale dhe caput mediale. - Caput longum fillon nga tuberculum infraglenoidale i skapulës; zbret poshtë ndërmjet m. teres major dhe m. teres minor, pastaj bashkohet me një trup të vetëm me dy kokat e tjera. - Caput mediale fillon me fije muskulare nga faqja e pasme e humerusit dhe brenda sulcus n. radialis: fijet mbulohen nga caput longum dhe mbarojnë me tendin të përbashkët në olecranon. - Caput laterale fillon lart me fije tendinoze nga sipërfaqja e pasme e humerusit dhe nga septum intermusculare laterale. Fijet muskulare zbresin pjerrtas poshtë duke u bashkuar me pjesët e tjera në një tendin të përbashkët që fiksohet në olecranon. Ky muskul shtrin parakrahun. M. Anconeus është muskul i vogël i bërrylit dhe shpesh konsiderohet si koka e katërt e muskulit triceps. Muskuli ankoneus fillon nga epicondylus lateralis humeri dhe mbaron prapa në kapsulën artikulare të bërrylit. Ky muskul forcon kapsulën artikulare të bërrylit. Fossa axillaris Fossa axillaris bëhet e dukshme në abduksion të lehtë të krahut dhe kufizohet: - Nga përpara – M. Pectoralis major et minor, - Nga prapa – M. Latissimus dorsi dhe m. teres major, - Medialisht – M. Serratus anterior, - Lateralisht - M. Coracobrachialis dhe caput breve m. biceps brachii. Lëkura e fosës aksilare mbulohet me qime; më poshtë gjenden indi dhjamor subkutan, pastaj fascia axillaris. Në thellësi të fosës aksilare gjenden arteria dhe vena axillaris, limfonodulat aksilare dhe pleksi nervor i krahut (plexus brachialis) me degët e tij. Foramen trilaterum et quadrilaterum Foramen quadrilaterum kufizohet: - Lateralisht – Humerusi, - Medialisht – Caput longum m. tricipitis brachii, - Lart – M. Teres minor, - Poshtë – M. Teres major. Në foramen quadrilaterum kalojnë nervi aksilar dhe arteria dhe vena circumflexa humeri posterior. Foramen trilaterum kufizohet: - Lart – M. Teres minor, - Poshtë – M. Teres major, - Lateralisht – Caput longum m. triceps brachi. Në foramen trilaterum kalojnë arteria dhe vena circumflexa scapulae. Muskujt e parakrahut Grupi i përparmë (muskuj flektorë të dorës dhe gishtave) Shtresa e Parë - M. Palmaris longus ka formë të stërgjatur dhe fillon nga epikondili medial i humerusit, drejtohet poshtë me tendin të gjatë në nivelin e pëllëmbës së dorës dhe mbaron në aponeurozën palmare. Ky muskul përkul dorën dhe tendos aponeurozën palmare. - M. Pronator teres është muskul i shkurtër që fillon me dy koka: njëra nga epikondili medial i humerusit; tjetra nga processus coronoideus ulnae. Të dy kokat formojnë një trup muskular që fiksohet lateralisht në 1/3 e mesme të faqes së përparme të radiusit. Ky muskul kthen dhe përkul parakrahun (muskul pronator). - M. Flexor carpi radialis është muskul i gjatë dhe vendoset brënda m. pronator teres. Fillon nga epikondili medial i humerusit; fijet muskulare shkojnë poshtë, në 1/3 e mesme të parakrahut kalojnë në tendin, i cili mbaron në sipërfaqen e përparme të metakarpit të 2- të. Ky muskul përkul artikulacionin radiokarpal, ndihmon në pronacion dhe në largimin e dorës (muskul abduktor). - M. Flexor carpi ulnaris gjëndet medialisht m. palmaris longus dhe fillon me dy koka: caput humerale fillon nga epikondili medial, ndërsa caput ulnare fillon nga buza mediale e olekranit. Të dy kokat bashkohen në një tendin në os pisiforme dhe përfundon në os hamatum. Ky muskul përkul dhe afron dorën. Shtresa e dytë - M. Flexor digitorum superficialis fillon me dy pjesë: caput humero – ulnare dhe caput radiale. Caput humero – ulnare fillon nga epikondili medial dhe processus coronoideus, ndërsa koka tjetër fillon me fije tendinoze nga sipërfaqja e përparme e radiusit. Të dy krerët bashkohen në formë harku (këtu kalon n. median dhe a. ulnaris), më poshtë fijet drejtohen tek artikulacioni i dorës dhe në këtë nivel ndahen në 4 tendine të tjera, të cilat kalojnë në kanalin karpal. Secili tendin ndahet në dy pjesë që mbarojnë në të dy anët e falangës së 2-të të gishtërinjve nga i 2-ti tek i 5-ti, duke formuar një çarje për kalimin e tendinit të m. flexor digitorum profundus. Ky muskul përkul falangën e dytë mbi të parën dhe mbi metakarpin; ndihmon edhe në përkuljen e dorës. Shtresa e tretë - M. Flexor digitorum profundus është muskul i gjërë, i vendosur medialisht m. flexor pollicis longus. Fillon nga faqja e përparme dhe e brëndshme e ulnës, poshtë tuberositas ulnae. Fijet muskulare drejtohen poshtë duke kaluar me tendin të gjërë dhe në afërsi të artikulacionit të dorës, ku ndahet në 4 tendine për falangën e tretë të gishtave 2 – 5-të. Ky muskul përkul falangën e tretë të gishtave mbi falangën e dytë, duke formuar grushtin; njëkohësisht ndihmon në përkuljen e dorës. - M. Flexor pollicis longus fillon me fije muskulare nga faqja e përparme e radiusit, pjesërisht nga membrana interossea, kalon në tendin të gjatë në kanalin karpal dhe mbaron në bazën e falangës së dytë të gishtit të madh. Ky muskul përkul falangën e dytë mbi falangën e parë të gishtit të madh. Shtresa e katërt M. Pronator quadratus ka formë katërkëndëshi dhe vendoset në faqen e përparme të radiusit dhe ulnës në pjesën e tyre distale me drejtim nga ulna për tek radiusi. Është muskul brendakthyes (pronator) i krahut. Grupi i muskujve anësorë dhe radialë të parakrahut - M. Brachioradialis është muskul sipërfaqësor, që fillon nga buza laterale e humerusit dhe septum intermusculare laterale, anash m. flexor digitorum superficialis; kalon në tendin dhe mbaron në processus styloideus radii. Ky muskul përkul parakrahum mbi krah; ndihmon edhe supinacionin. - M. Extensor carpi radialis longus është muskul ekstensor (shtrirës) i gjatë i dorës. Fillon me fije muskulare nga septum intermusculare laterale dhe epikondili lateral i humerusit; zbret paralel me m. brachioradialis, kalon në tendin dhe fiksohet në faqen e sipërme të bazës së metakarpit të dytë. Ky muskul shtrin dhe largon dorën. - M. Extensor carpi radialis brevis fillon nga epikondili lateral i humerusit; drejtohet poshtë, kalon në tendin të gjatë dhe mbaron në faqen e sipërme (dorsale) të metakarpit të tretë. Ky muskul shtrin dhe largon dorën. Grupi i muskujve të pasëm dhe dorsalë të parakrahut Ky grup përbëhet nga dy shtresa: - Shtresa sipërfaqësore, - Shtresa e thellë. Shtresa sipërfaqësore: - M. Extensor digitorum communis është muskul shtrirës i përbashkët i gishtave me konfigurim të gjërë dhe muskular në pjesën e sipërme, ndërsa ndahet në 4 tendine për gishtat 2 – 5-të. Fillon nga faqja e pasme e epikondilit lateral të humerusit, formohet një trup muskular i vendosur në faqen e pasme të parakrahut; në 1/3 e mesme ndahet në 4 tendine të cilat përshkojnë shpinën e dorës duke mbaruar përkatësisht në faqen e sipërme të falangës së dytë dhe në të dy anët e falangës së tretë prej gishtit 2 – 5-të. Tendini në nivelin e falangës së parë ndahet në tre pjesë; dy anësore për falangën e dytë dhe një e mesme për falangën e dytë. Ky muskul shtrin falangën e parë, të dytë, të tretë, edhe dorën. - M. supinator është muskul i shkurtër, i vendosur në faqen e sipërme dhe të pasme të radiusit. Fillon me fije muskulare nga epikondili lateral i humerusit dhe përfundon në crista supinatoria ulnae. Ky muskul kryen supinacionin e parakrahut. - M. Extensor digiti minimi është muskul i vogël që shkëputet nga m. extensor digitorum communis dhe mbaron në falangën e tretë të gishtit të vogël. Ky muskul shtrin gishtin e vogël. - M. Extensor carpi ulnaris është muskul i gjatë me dy koka i vendosur brenda muskulit extensor digiti minimi. Caput humerale fillon nga epikondili lateral i humerusit; caput ulnare fillon nga buza e pasme e ulnës , drejtohet pjerrtas, mbulon m. supinator dhe kalon në tendin që fiksohet në faqen e sipërme të metakarpit të dytë. Ky muskul shtrin dhe afron dorën. Shtresa e thellë: - M. Abductor pollicis longus është muskuli largues (abduktor) i gishtit të madh; ka formë të stërgjatur dhe është më anësori i shtresës. Fillon nga faqja e pasme e ulnës, nga membrana interossea dhe faqja e pasme e radiusit. Fijet muskulare zbresin pjerrtas, kryqëzojnë tendinet e dy muskujve extensor carpi radialis dhe kapen në bazën e metakarpit të parë. Ky muskul largon gishtin e madh nga gishti tregues. - M. extensor pollicis brevis fillon nga faqja e pasme e membrana interossea dhe nga faqja e pasme e radiusit. Fijet muskulare zbresin pjerrtas, kryqëzojnë tendinet e m. extensor carpi radialis dhe përfundojnë në bazën e falangës së dytë të gishtit të madh. Ndërmjet këtij tendini dhe dy tendineve të m. abductor pollicis longus dhe m. extensor pollicis brevis formohet një gropë në nivelin e artikulacionit karpo – metakarpal të parë që quhet ‘Tabakiera anatomike’. Ky muskul shtrin gishtin e madh. - M. Extensor indicis proprius është muskul i vogël që fillon nga faqja e pasme e ulnës, zbret poshtë dhe kalon në tendin, i cili bashkohet me tendinin përkatës të m. extensor digitorum communis në nivelin e artikulacionit metakarpo – falangeal të dytë dhe mbaron në bazën e falangës distale të gishtit të dytë. Ky muskul shtrin gishtin e dytë. Muskujt e dorës Muskujt e dorës ndahen në tre grupe: - Muskujt tenarë – vendosen në anën radiale, formojnë eminentia tenaris, - Muskujt hipotenarë – vendosen në anën ulnare, formojnë eminentia hypotenaris, - Grupi i ndërmjetëm – përbëhet nga mm. interossei dhe mm. lumbricales. Muskujt tenarë: - M. Abductor pollicis brevis fillon nga tuberculum ossis scaphoidei dhe fiksohet në bazën e falangës së parë të gishtit të madh. Ky muskul bën largimin e gishtit te madh. - M. Opponens pollicis fillon nga pjesa e përparme dhe laterale e lig. carpi transversum, nga tuberculum ossis trapezii dhe mbaron në anën radiale të metakarpit të parë. Nëpërmjet veprimit të këtij muskuli, gishti i madh i kundërvihet përballë gishtave të tjerë. - M. Flexor pollicis brevis vendoset në thellësi dhe ka dy koka. Koka sipërfaqësore fillon nga lig. transversum carpi dhe mbaron në falangën e parë të gishtit të madh. Koka e thellë fillon nga lig. transversum carpi dhe nga os capitatum dhe përfundon në bazën e falangës së parë të gishtit të madh. Bashkë me kokën sipërfaqësore, ndërmjet dy kokave kalon tendini i m. flexor pollicis longus. Ky muskul shkakton përkuljen e gishtit të madh. - M. Adductor pollicis ka dy koka; transversale dhe oblike. Koka transversale fillon nga metakarpi i tretë dhe mbaron në artikulacionin metakarpo – falangeal të parë dhe në falangën e parë të gishtit të madh. Koka oblike fillon nga ligamenti ndërmjet os trapezoideum dhe os capitatum dhe bashkohet me kokën transversale. Ky muskul afron gishtin e madh. Muskujt hipotenarë: - M. Palmaris brevis fillon nga buza ulnare e aponeurozës së dorës dhe mbaron në lëkurë. - M. Abductor digiti minimi fillon nga os pisiforme dhe mbaron në bazën e falangës së parë të gishtit të vogël (të 5-të). Ky muskul largon gishtin e 5-të. - M. Flexor digiti minimi (brevis) fillon nga hamulus ossis hamati dhe lig. carpi transversum dhe fiksohet në falangën e parë të gishtit të 5-të. Ky muskul përkul falangën e parë të gishtit të 5-të dhe e largon gishtin. - M. opponens digiti minimi fillon nga lig. carpi transversum dhe mbaron në kokën e metakarpit të 5-të. Nëpërmjet veprimit të këtij muskuli gishti i vogël vendoset përballë gishtave të tjerë. Grupi i ndërmjetëm Mm. interossei: - Mm. interossei dorsalis janë 4 dhe vendosen ndërmjet dy kockave metakarpale, fillojnë me dy koka në sipërfaqet e dy kockave metakarpale fqinjë dhe mbarojnë në bazat e falangave bazale. Nëpërmjet veprimit të këtyre muskujve, gishti i dytë dhe i katërt largohen nga gishti i tretë; gjithashtu përkulin falangat e para. - Mm. Interossei palmares janë 3 dhe kanë formë prizmi trekëndësh; vendosen në intervalet II, III dhe IV metakarpale. Fillojnë nga koka e një metakarpi; i pari nga metakarpi i dytë dhe mbaron në kapsulën artikulare të artikulacionit metakarpofalangeal të dytë, i dyti dhe i treti fillojnë nga ana laterale e metakarpit të katërt dhe të pestë dhe mbarojnë në artikulacionet metakarpofalangeale të katërt dhe të tretë. Këta muskuj afrojnë gishtat drejt gishtit të mesit, përkulin falangën e parë dhe shtyjnë falangën e dytë dhe të tretë. Mm. lumbricales: janë 4 muskuj. 2 muskuj lumbrikalë fillojnë nga tendinet e gishtave të dyta dhe të treta të M. flexor digitorum profundus, ndërsa dy te tjerët (i treti dhe i katërti) fillojnë me dy koka nga tre tendine të këtij muskuli dhe mbarojnë me aponeurozë në falangën bazale të 2 – 4-të. Këta muskuj përkulin falangën e parë të gishtave 2 – 5-të dhe shtrijnë falangën e dytë dhe të tretë. Vagina e M. Rectus abdominis Në formimin e vaginës të m. rectus abdominis marrin pjesë aponeurozat e tre muskujve të gjërë të barkut. M. obliquus abdominis externus me aponeurozën e tij kalon përpara m. rectus abdominis dhe bashkohet në vijën e mesit me aponeurozën e anës tjetër duke formuar linea alba. M. obliquus abdominis internus; aponeuroza e këtij ka dy fletë: - Fleta e përparme bashkohet me aponeurozën e m. obliquus abdominis externus duke formuar murin e përparmë të vaginës së m. rectus abdominis. - Fleta e pasme bashkohet me aponeurozën e m. transversus abdominis, duke kaluar prapa m. rectus abdominis; kjo strukturë e organizimit të aponeurozave gjendet në 2/3 e sipërme të vaginës fibroze. Në 1/3 e poshtme të vaginës fibroze, muri i pasëm është i dobët sepse të gjitha fletët aponeurotike kalojnë përpara m. rectus abdominis. Muri i përparmë i 1/3 të vaginës të m. rectus abdominis përbëhet nga 4 fletë aponeurotike, ndërsa nga prapa muskuli rektus mbulohet vetëm nga fascia transversa. Topografia e paretit abdominal Sipërfaqja e përparme e abdomenit ndahet për lehtësi studimi në disa regjione sipas koordinimit të katër vijave imagjinare. Dy vija horizontale hiqen në drejtim transversal. Vija e sipërme formohet duke bashkuar pikat më të poshtme të harqeve brinjore, ndërsa vija e poshtme hiqet duke bashkuar dy spinat iliake anterior superior. Dy vijat vertikale jane vazhdim i linjave medioklavikulare të toraksit. Hapësira rreth vijave horizontale ndahet në tre regione kryesore të paretit abdominal: - Epigastër, - Mezogastër, - Hipogastër, Epigastri ndahet nga dy vijat vertikale në tre regjione lokale, nga e djathta në të majtë: - Hipokondri i djathtë, - Epigastri, - Hipokondri i majtë, Mezogastri ndahet nga dy vijat vertikale në tre regjione lokale, nga e majta në të djathtë: - Regio lumbaris dexter (mezogastri i djathtë), - Regio umbilicalis (mezogastri), - Regio lumbaris sinister (mezogastri i majtë). Hipogastri ndahet nga dy vijat vertikale në tre regjione lokale, nga e majta në të djathtë: - Regio inguinalis dexter, - Regio suprapubicum (hipogastri), - Regio inguinalis sinister. Trigonum et spatium inguinale Regjioni inguinal përfshin zonën që kufizohet nga: - Lart – vija që bashkon 2 spinat iliaca anterior superior, - Medialisht – vija që bashkon pjesën e poshtme të brinjës së 10-të me tuberculum pubicum, - Poshtë-lateralisht – ligamenti inguinal. Shtresat që përbëjnë këtë regjion janë: - Lëkura me adnekset e saj, - Indi dhjamor subkutan, që është mjaft i zhvilluar dhe shpesh ndahet në dy nënshtresa nga lamina superficialis e fascia abdominis superficialis. Përmes indit dhjamor subkutan kalojnë arteria dhe vena epigastrica superficialis, arteria dhe vena pudenda externa, arteria dhe vena circumflexa ilium superficialis dhe n. iliohypogastricus dhe n. ilioinguinalis. - Fascia abdominis superficialis ndahet në dy fletë; sipërfaqësore dhe e thellë. - Aponeuroza e m. obliquus abdominis externus, në të cilën formohet annulus inguinalis superficialis. - M. obliquus adominis internum dhe menjëherë pas këtij m. transversus abdominis. Të dy muskujt shtrihen në pjesën e sipërme të regjionit inguinal dhe mbërrijnë deri në kufirin ndërmjet 1/3 të mesme dhe 1/3 të poshtme të lig. inguinale. Pjesa e poshtme e të dy muskujve përbën kufirin e sipërm të kanalit inguinal. Ky defekt muskular në regjionin inguinal quhet trigonum inguinale dhe kufizohet nga : - Medialisht – buza mediale e m. rectus abdominis, - Lart – buxa e poshtme e m. obliquus abdominis internus dhe m. transversus abdominis, - Lateralisht – poshtë – 1/3 mediale e lig. inguinale, - Fascia transversa, në të cilën gjendet annulus inguinalis profundus (internus). - Indi dhjamor preperitoneal, përmes të cilit kalon arteria epigastrica inferior. - Peritoneumi është shtesa e fundit. Kanali inguinal Kanali është 4 – 5 cm i gjatë dhe përmes tij kalon funikuli spermatik tek meshkujt dhe lig. teres uteri tek femrat. Kanali inguinal përshkon murin e përparmë dhe të poshtëm të abdomenit në drejtim të pjerrët nga lart – poshtë dhe nga lateralisht – medialisht. Kanali inguinal formohet nga 4 mure: - Muri i sipërm formohet nga buza e lirë m. obliquus abdominis internus dhe m. transversus abdominis, - Muri i poshtëm formohet nga ligamenti inguinal, - Muri i përparmë formohet nga aponeuroza e m. obliquus abdominis externus, - Muri i pasëm formohet nga fascia transversa. Hapja e jashtme e kanalit inguinal është një defekt në aponeurozën e m. obliquus abdominis externus. Hapja e jashtme kufizohet: - Medialisht – Crus mediale, - Lateralisht – Crus laterale, - Poshtë – lig. reflexum, - Lart – Fibrat interkrurale. Hapja e brëndshme është një defekt (çarje) që projektohet në fovea inguinalis lateralis. Hapja e brëndshme kufizohet: - Lateralisht – defekti në formë harku në fascien transversa, - Medialisht – fibrat interfoveolare, - Poshtë – lig. inguinale. Muskujt e pelvisit Muskujt e pelvisit ndahen në dy grupe kryesore: - Muskuj të jashtëm, të pasëm ose të regjionit gluteal (mm. glutealë), - Muskuj të brëndshëm të përparmë. Muskujt e brëndshëm të përparmë: M. Psoas major është voluminoz dhe shtrihet përgjatë pjesës lombare të kolonës vertebrale nga niveli i vertebrave T12 – L5 deri në trochanter minor. Fillon nga pjesa e jashtme e vertebrave T12 – L5 dhe prej disqeve intervertebralë përkatës. Tufat muskulare bashkohen në një trup të vetëm të madh; drejtohen poshtë drejt fossa iliaca, zbresin në kofshë nëpërmjet lacuna musculorum, kalojnë përpara artikulacionit kokso – femoral dhe fiksohen në trochanter minor të femurit. M. Iliacus është muskul i gjërë dhe i trashë, që fillon nga labium internum i crista iliaca; nga linea innominata fijet muskulare konvergojnë poshtë dhe anash m. psoas major dhe mbarojnë në trochanter minor, ku bashkohen me tendinin e m. psoas major. Ndërmjet dy muskujve kalon nervi femoral. Muskuli iliakus formon bashkë me muskulim psoas major, muskulin iliopsoas, i cili mbulon faqen e përparme të artikulacionit koksofemoral dhe ndahet nga kapsula artikulare nga një bursë e gjërë seroze. Muskuli iliopsoas përkul kofshën mbi komblik dhe njëkohësisht bën rrotullim nga brenda – jashtë (rotator ekstern). Kur pika fikse është kofsha ndihmon në përkuljen e kolonës vertebrale; kur tkurren të dy muskujt, rrotullon trungun. M. psoas minor është muskul i vogël, jo konstant, që fillon nga vertebrat T12 – L1 dhe mbaron në eminentia iliopectinea. Ky muskul ndihmon në përkuljen e kolonës vertebrale. Muskujt e regjionit gluteal Këta muskuj vendosen në tre shtresa: - Sipërfaqësore, - E mesme, - E thellë. Shtresa sipërfaqësore: M. Gluteus maximus është muskul i madh, i shkurtër me formë të çrregullt që fillon me fije muskulare prej ¼ të pasme të ala ossis ilii (fletës iliake), nga linea glutea posterior dhe nga faqja e pasme e sakrumit dhe koksigeusit. Fijet muskulare drejtohen poshtë dhe fiksohen me tendin në tuberositas glutea dhe labium externum të linea aspera. Një pjesë e fijeve muskulare sipërfaqësore vazhdojnë më poshtë dhe përfundojnë në tractus iliotibialis. Ky muskul është ekstensor dhe rrotullon kofshën nga jashtë dhe ndihmon në mbylljen e anusit. Tkurrja e dy muskujve (kur gjymtyrët janë fiksuar) drejton komblikun dhe trungun. M. Tensor fascia latae ka formë boshtore dhe vendoset në pjesën e jashtme të kofshës nga os coxae deri në gju. Fillon nga pjesa e jashtme e spina iliaca anterior superior, kalon përpara dhe medialisht m. sartorius dhe prapa m. gluteus medius. Fijet muskulare zbresin poshtë deri në gju, në aponeurozë dhe fiksohen në kondilin lateral të tibias. Ky muskul shtrin kërcirin dhe e rrotullon nga jashtë atë. Shtresa e mesme: M. Gluteus medius është muskul i gjërë dhe i trashë në formë trekëndëshi, që vendoset prapa m. gluteus minimus dhe mbulohet pjesërisht nga m. gluteus maximus. Fillon nga fleta iliake ndërmjet linea glutea anterior dhe linea glutea posterior; fijet muskulare konvergojnë anash dhe prapa duke u fiksuar në trochanter major, ku vendoset një bursë seroze. Ky muskul largon kofshën dhe e rrotullon nga brënda dhe nga jashtë, sipas pjesës të tij që tkurret. Kur kofsha është e fiksuar, muskuli gluteus medius shtrin komblikun. Shtresa e thellë: M. Gluteus minimus ka formë trekëndëshi dhe fillon nga faqja e jashtme e fletës iliake, poshtë linea glutea anterior. Fijet muskulare konvergojnë anash dhe kalojnë në faqen e sipërme të kapsulës artikulare me tendin të fortë duke përfunduar në buzën e përparme të trochanter major. Ky muskul bën abduksionin e kofshës; kur pika fikse është femuri, shtrin komblikun në anën e tkurrjes. M. Piriformis ka formë dardhe, nga merr edhe emrin, dhe vendoset poshtë m. gluteus minimus. Fillon nga faqja e përparme e sakrumit, anash foramina sacralia pelvina; kalon transversalisht nëpër foramen ischiadicum majus dhe mbaron në pjesën e mesme të trochanter major. Ky muskul bën rrotullimin e kofshës nga jashtë dhe e largon atë. M. Obturatorius internus shtrihet nga zgavra pelvike deri në trochanter major. Fillon nga faqja e brendshme e membranës obturatore me fije muskulare për të formuar hyrjen e kanalit obturator; fillon gjithashtu nga periferia kockore e foramen obturatum dhe fijet dalin nga pelvisi nëpërmjet foramen ischiadicum minus dhe mbarojnë në fossa trochanterica pranë tendinit të m. piriformis. Ky muskul rrotullon kofshën nga jashtë. Mm. Gemelli: të dy muskujt, i sipërmi dhe i poshtmi janë aksesorë të m. obturator internus dhe vendosen lart këtij. Muskuli i sipërm fillon nga spina ischiadica, ndërsa i poshtmi nga tuber ischiadicum. Tendinet e dy muskujve bashkohen me tendinin e m. obturator intern. Ky muskul ka veprim të njëjtë me m. obturator internus. M. Obturator externus ka formë trekëndëshi dhe shtrihet nga faqja e jashtme e foramen obturatum deri në fossa trochanterica. Ky muskul rrotullon kofshën nga jashtë. M. Quadratus femoris ka formë trekëndëshe dhe vendoset poshtë m. gemellus inferior dhe prapa m. obturator externus. Fillon nga tuber ischiadicum, kalon transversalisht jashtë drejt pjesës së sipërme të femurit dhe mbaron në crista intertrochanterica. Ky muskul rrotullon kofshën nga jashtë dhe e afron atë. Muskujt e kofshës Muskujt e kofshës ndahen në tre grupe: - Grupi i përparmë (muskuj ekstensorë), - Grupi i brëndshëm (muskuj aduktorë), - Grupi i pasëm (muskuj flektorë). Grupi i përparmë: M. Sartorius është i gjatë dhe vendoset përpara m. quadriceps femoris. Fillon me fije tendinoze mbi spina iliaca anterior superior; fijet muskulare shkojnë poshtë, medialisht kryqëzojnë pjerrtas m. psoas major dhe mbërrijnë në faqen e brëndshme të kofshës. Më pas fijet muskulare zbresin vertikalisht dhe përfundojnë në buzën e brëndshme të tuberositas tibiae, poshtë fiksimit të lig. patellae proprium. Tendini fiksues i m. sartorius,bashkë me tendinin e m. gracilis dhe m. semitendinosus, formojnë pes anserinus (‘këmbën e patës’). Ky muskul përkul kërcirin mbi kofshë dhe kofshën mbi komblik; ndihmon edhe në kalimin e njërës këmbë mbi tjetrën. M. Quadriceps femoris përbëhet nga 4 muskuj: - M. Rectus femoris është i gjatë me formë boshtore dhe vendoset përpara m. vastus medialis. Fillon me dy tendine; njëri nga spina iliaca anterior inferior dhe tjetri pak më poshtë se i pari. Dy tendinet bashkohen me një pllakë aponeurotike rreth 4 cm lart buzës së sipërme të patelës, ku kalon në tendin të përbashkët. Ky muskul përkul kofshën në artikulacionin kokso – femoral dhe shtrin kërcirin në artikulacionin e gjurit. - M. Vastus medialis është muskul i gjërë në formë pllake i vendosur në faqen e brëndshme të femurit. Fillon nga linea aspera; fijet muskulare drejtohen poshtë dhe përpara duke mbuluar faqen e brëndshme të diafizës së femurit dhe përfundon në tendinin e përbashkët. - M. Vastus lateralis fillon nga 2/3 e sipërme të linea aspera dhe septum intermusculare laterale; fijet muskulare zbresin pjerrtas dhe bashkohen me tendinin e përbashkët. Një pjesë e këtij muskuli formon retinaculum patellae laterale. - M. Vastus intermedius është pjesa e ndërmjetme e m. quadriceps femoris. Fillon me fije muskulare nga 2/3 e sipërme të faqes së përparshme të poshtme të femurit; fijet muskulare zbresin vertikalisht poshtë dhe përfundojnë në tendinin e përbashkët. M. Quadriceps femoris shtrin këmbën në artikulacionin e gjurit, ndërsa patella transmeton indirekt tkurrjen e këtij muskuli. Tendini i përbashkët i të katër muskujve fiksohet në tuberositas tibiae. Kjo pjesë tendinoze e përbashkët quhet lig. patellae proprium. Grupi i muskujve të brëndshëm të kofshës a. Shtresa sipërfaqësore: - M. Pectineus ka formë katërkëndëshe dhe fillon nga dega e sipërme e kockës pubike dhe pecten ossis pubis; drejtohet lateralisht, duke mbaruar me një pllakë tendinoze në pjesën e sipërme të linea aspera, në linea pectinea. Ndërmjet këtij muskuli dhe m. iliopsoas formohet fossa iliopectinea. Ky muskul afron dhe rrotullon nga jashtë kofshën (rotator ekstern). - M. Gracilis është muskul i hollë dhe i gjatë, i vendosur në pjesën më të brëndshme të kofshës dhe shtrihet nga os pubis deri në tibia. Fillon me një pllakë tendinoze nga faqja e sipërme e simfizës pubike; fijet muskulare zbresin vertikalisht dhe përfundojnë me tendin në pjesën e brëndshme të tuberositas tibiae. Ky muskul është përkulës i dobët i kërcirit dhe afrues i kofshës. b. Muskujt aduktorë (afrues) të kofshës Këta muskuj shtrihen nga sipërfaqja e përparme e degëve të kockës pubike dhe kockës iskiatike, deri në linea aspera femoris. - M. Adductor longus është muskul i shkurtër që fillon nga dega e sipërme pubike, anash fillimit të m. gracilis; fijet muskulare zbresin pjerrtas dhe mbarojnë në 1/3 e mesme të labium mediale linea aspera, ku bashkohet me m. vastus medialis. Ky muskul afron kofshën dhe e rrotullon nga jashtë; ndihmon edhe në përkuljen e kofshës. - M. Adductor brevis është muskul i shkurtër që fillon nga dega pubike e poshtme dhe mbaron në 1/3 e sipërme të linea aspera. Ky muskul afron kofshën dhe e përkul atë. - M. Adductor magnus ka formë trekëndëshi me majë në os pubis dhe bazë në femur. Fillon nga faqja e përparme e degës së poshtme të os pubis dhe os ischii, si edhe faqja e jashtme e tuber ischiadicum. Fijet e sipërme muskulare janë horizontale, ndërsa fijet e poshtme drejtohen pjerrtas dhe mbarojnë në linea aspera, deri tek epikondili medial i femurit. Tendini i gjërë i tij është i vrimëzuar, përmes të cilit kalojnë enë gjaku dhe fije nervore. Njëra nga vrimat më të mëdha quhet hiatus tendineus ose annulus tendineus dhe shërben si hapje e poshtme e kanalit femoro – popliteus, ku kalon tufa neurovaskulare e kofshës. Ky muskul afron kofshën. Grupi i muskujve të pasëm të kofshës Ky grup muskujsh realizon fleksionin e kërcirit. - M. Semimembranosus shtrihet nga os ischii deri në pjesën e sipërme të tibias. Fillon nga pjesa e jashtme e tuber ischiadicum, anash tendinit të muskulit biceps dhe semitendinozus me pllakë të gjërë fibroze, pastaj ngushtohet dhe zgjatet deri në mes të kofshës ku fillon pjesa muskulare që drejtohet pjerrtas dhe përfundon me tendin të fortë prapa kondilit medial të tibias. Tufa muskulare anësore formon lig. popliteum obliquum, dy tufat e brëndshme fiksohen para dhe prapa kondilit medial të tibias. Ky muskul kryen ekstensionin e kofshës dhe pelvisit (komblikut) dhe përkul kërcirin në artikulacionin e gjurit. - M. Semitendinosus ka formë boshti muskular në pjesën e sipërme. Fillon nga tuber ischiadicum, më poshtë se tendini i fillimit të m. biceps femoris; fijet muskulare drejtohen poshtë dhe në 1/3 e poshtme të kofshës kalojnë në një tendin të hollë e të fortë që fiksohet në condylus medialis tibiae. Ky muskul është ekstensor i kofshës dhe flektor e rotator i kërcirit. - M. Biceps femoris përbëhet nga dy koka; caput longum dhe caput breve, të cilat mbarojnë me tendin të përbashkët. Caput longum fillon nga tuber ischiadicum, ndërsa caput breve nga labium externum linea aspera dhe të dy kokat formojnë trupin muskular dhe përfundojnë me tendin të përbashkët në capitulum fibulae. Ky muskul përkul kërcirin në artikulacionin e gjurit; kur kërciri është i përkulur, shtrin kofshën dhe rrotullon këmbën nga jashtë. Trigonum femorale (i Scarpa) Trigonum femorale gjëndet në pjesën mediale dhe të përparme të kofshës. Trigonum femorale kufizohet nga: - Lart – lig. Inguinale, - Lateralisht – M. Sartorius, - Medialisht – M. Adductor longus. Dyshemenë e trigonum femorale e formojnë m. pectineus dhe m. iliacus. Duke kaluar nga lateralisht medialisht, në trigonum femorale gjënden: - Nervi femoral, - Arteria femorale, - Vena femorale. Në këndin e poshtëm të trigonum femorale fillon kanali vastoaduktor. Lakunat dhe përmbajtja e tyre Lig, iliopectineum e ndan hapësirën që gjëndet poshtë lig. inguinale në dy vrima: - Vrima e jashtme – Lacuna musculorum, - Vrima e brëndshme – Lacuna vasorum. Lacuna musculorum formohet nga: - Përpara – lig. inguinale, - Prapa dhe jashtë – os ilium, - Brënda – lig. iliopectineum. Nëpërmjet lacuna musculorum dalin në kofshë m. iliopsoas dhe m. pectineus. Ndërmjet këtyre muskujve formohet sulcus iliopectineus, në të cilin kalon nervi femoral. Lacuna vasorum kufizohet nga: - Jashtë – lig. iliopectineum, - Brenda – lig. lacunare (i Gimbernat-it), - Përpara – lig. inguinale, - Prapa – lig. pubicum (i Cooper-it). Lig. pubicum përfaqëson një një bandë indi lidhor të ngjitur ngushtë me periostin dhe që kalon përgjatë pecten ossis pubis prej lig. lacunare tek lig. iliopectineum. Përmes lacuna vasorum del për në kofshë arteria femoralis dhe hyjnë në pelvis vena femoralis dhe vazat limfatike. Pjesa mediale e lacuna vasorum është vrima e brëndshme e kanalit femoral dhe mbushet nga një nyje limfatike solitare (limfonoduli i Cloquet – Rozenmüller - Pirogov). Kanali femoral Kanali femoral ka rëndësi klinike për herniet femorale. Në kushte normale ky kanal nuk ekziston (është virtual), por krijohet gjatë kalimit të përmbajtjes abdominale ose preparimit anatomik. Kanali femoral ka dy hapje: Hapja e brendshme (annulus femoralis internus) kufizohet: - Përpara dhe lart – lig. inguinale dhe lig. pubicum (i Cooper-it), - Prapa dhe medialisht – lig. lacunare (i Gimbernat-it), - Lateralisht – vena femorale, - Poshtë – lig iliopubicum. Hapja e e brendshme zakonisht është e mbushur me ind dhjamor dhe nyjen solitare limfatike te Cloquet. Anulus femoralis internus projektohet me gropën në formë hinke që gjëndet poshtë lig. inguinale në murin e brëndshëm abdominal dhe quhet fossa femoralis ose fovea femoralis. Hapja e jashtme (fossa ovalis ose annulus femoralis externus) gjëndet 2 – 2.5 cm medialisht lig. inguinale dhe kufizohet nga margo falciformis me dy kruset e saj, të sipërmin (crus superior) dhe të poshtmin (crus inferior) dhe quhet hiatus saphenus. Mbi crus inferior (në buzën e sipërme të krusit) kalon vena saphena magna. Kufijtë e annulus femoralis externus janë: - Lart, lateralisht dhe poshtë – margo falciforme, - Medialisht – vena saphena magna, - Përpara – fossa ovalis, që mbulohet nga lamina cribrosa. Kanali femoral ka tre mure: - Muri i përparmë dhe i pasëm formohen nga fletet e fascia lata (lamina superficialis dhe lamina profunda), - Mur i jashtëm formohet nga vena femorale, - Përpara – lig. inguinale, - Prapa – fascia pectinea, - Medialisht – lig. lacunare (i Gimbernat-it). Canalis vastoadductorius Kanali vastoaduktor gjëndet në pjesën e përparme të kofshës dhe është 6 – 7 cm i gjatë. Fillon nga këndi i poshtëm i trigonit femoral dhe vazhdon deri në fossa poplitea.Kanali vastoaduktor kufizohet: - Lateralisht – M. vastus lateralis, - Medialisht – M. adductor magnus, - Prapa – M. vastus intermedius, - Përpara – Lamina vastoadductoria dhe m. sartorius. Kanali vastoaduktor ka tre hapje: - Hapja e sipërme – gjendet në hapjen e poshtme të trigonum femorale, - Hapja e përparme – gjendet tek lamina vastoadductoria, - Hapja e poshtme – është hiatus adductorius, që realizon komunikimin e kanalit me fossa poplitea dhe gjendet tek këndi i sipërm i fossa poplitea. Nëpër kanalin vastoaduktor kalojnë arteria femorale dhe nervus saphenus. Tek hapja e përparme del arteria genu descendens dhe n. saphenous. Fossa poplitea Fossa poplitea ka formë rombi dhe kufizohet nga: - Poshtë – Dy kokat e m. gastrocnemius, - Lart – M. semimembranosus; m. semitendinosus dhe m. biceps femoris, Këndi i sipërm i fossa poplitea përfaqëson hapjen e kanalit vastoaduktor, ndërsa këndi i poshtëm është fillimi i kanalit kruropopliteus. Canalis cruropopliteus Kanali kruropopliteus gjëndet në pjesën e sipërme të kërcirit dhe në pjesën e poshtme të kofshës. Fossa poplitea vazhdon me canalis cruropopliteus, i cili ka këto mure: - Muri i përparmë – formohet nga M. tibialis posterior, - Muri i pasëm – formohet nga M. soleus, - Nga brënda kufizohet – M. flexor digitorum longus, - Anash – M. flexor hallucis longus. Kanali kruropopliteus ka tre hapje: - Hapja e sipërme – kufizohet përpara nga M. popliteus dhe prapa nga harku tendinoz i M. soleus, - Hapja e përparme – gjëndet në membrana interossea; nëpër të kalon arteria tibialis anterior, - Hapja e poshtme është një çarje ndërmjet 1/3 së mesme të m. soleus dhe m. tibialis posterior. Nga hapja e poshtme e kanalit kruropopliteus kalojnë prapa malleolus medialis për në tabanin e këmbës, a. tibialis posterior dhe n. tibialis. Muskujt e kërcirit Muskujt e kërcirit ndahen në tre grupe: - Muskuj të përparmë, - Muskuj anësorë, - Muskuj të pasëm. Muskujt e përparmë: - M. Tibialis anterior ka formë prizmatike dhe vendoset përgjatë faqes anësore të tibias. Fillon nga kondili lateral i tibias, nga membrana interossea, nga 2/3 e sipërfaqes anësore të tibias, nga fascia cruris dhe septum intermusculare. Fijet muskulare drejtohen poshtë, në 1/3 e poshtme kalojnë në tendin, që futet në retinaculum extensorium dhe përfundon në faqen mediale të os kuneiforme të parë dhe pjesën e poshtme të bazës së metatarsit të parë. Ky muskul përkul këmbën dhe e supinon atë. - M. Extensor hallucis longus fillon nga faqja e brëndshme e fibulës në pjesën e saj të mesme dhe nga membrana interossea. Fijet muskulare drejtohen poshtë – përpara; muskuli kalon në tendin të gjatë dhe mbaron duke kaluar në shpinën e këmbës dhe në dy buzët anësore të falangës së parë dhe të dytë të gishtit të madh të këmbës. Ky muskul shtrin falangën e dytë të gishtit të madh mbi të parën, dhe këtë të fundit mbi metatarsin e parë; ndihmon në përkuljen dorsale të këmbës dhe e supinon lehtë atë. Grupi anësor: - M. Peroneus longus fillon nga tuberositas tibiae, nga koka e fibulës dhe 1/3 e sipërme e saj, si edhe nga septum intermusculare anterius; fijet muskulare drejtohen vertikalisht, pastaj kalojnë në tendin të gjatë duke u vendosur prapa malleolus lateralis dhe përfundojnë ne tuberozitetin e metatarsit të parë dhe pjesërisht në kockën kuneiforme të parë. Ky muskul shtrin dhe largon këmbën, duke ndihmuar në rrotullimin nga jashtë të saj. - M. Peroneus brevis ka formë bipenate; muskular lart dhe tendinoz poshtë. Fillon me fije muskulare prej 2/3 të faqes së jashtme të fibulës dhe nga septum intermusculare. Tendini i gjatë kalon prapa malleolus lateralis dhe mbaron në tuberozitetin e metatarsit të pestë. Ky muskul largon dhe rrotullon këmbën nga jashtë. Grupi i pasëm përbëhet nga dy shtresa: - Shtresa sipërfaqësore, - Shtresa e thellë. Shtresa sipërfaqësore: Shtresa sipërfaqësore përfaqësohet nga M. Triceps surae, që përbëhet nga tre krerë; përkatësisht: m. gastrocnemius, m. soleus dhe m. plantaris. - M. Gastrocnemius është muskul i gjërë me dy koka (caput mediale et caput laterale) që shtrihet nga epikondilet e femurit deri tek tendo Achilli. Caput mediale fillon nga epikondili medial i femurit; caput laterale fillon nga epikondili lateral. Fijet muskulare mbarojnë në një pllakë tendinoze në nivelin e gjysmës së kërcirit dhe më poshtë muskuli ngushtohet dhe bashkohet me tendo Achilli. - M. Soleus është muskul i gjërë, voluminoz, i vendosur përpara m. gastrocnemius. Fillon me pllakë tendinoze nga linea musculi solei e tibias dhe 1/3 e mesme e buzës së brëndshme të tibias, prej faqes së pasme të fibulës dhe nga septum intermusculare laterale. Të dy origjinat bashkohen në formën e një harku fibroz të quajtur arcus tendineus musculi solei. Fijet muskulare drejtohen poshtë dhe bashkohen me tendinin e përbashkët. - M. Plantaris është muskul i vogël rudimentar që fillon nga epikondili medial i femurit dhe zbret poshtë pjerrtas, pastaj kalon me tendin të gjatë dhe i vendosur ndërmjet m. gastrocnemius dhe m. soleus, përfundon në tendinin e përbashkët. Tendo calcaneus (Achilli) formohet si rezultat i bashkimit të tendineve përfundimtare të tre muskujve, zbret vertikalisht dhe ngushtohet prapa muskujve të thellë të kërcirit dhe artikulacionit talokrural; duke përfunduar me inserim të fuqishëm në tuber calcanei, ku vendoset një burse mukoze. Muskuli triceps surae kryen fleksionin plantar të këmbës; ndihmon edhe supinacionin e saj. Shtresa e thellë: - M. Tibialis posterior është muskul i gjatë që vendoset ndërmjet m. flexor digitorum nga brënda dhe m. flexor hallucis nga jashtë. Fillon me fije muskulare nga 2/3 e sipërme e faqes së pasme të tibias dhe 2/3 e faqes së brëndshme të fibulës dhe membrana interossea. Fijet muskulare drejtohen pjerrtas poshtë, prapa malleolus medialis dhe mbarojnë me tendin në os naviculare, dhe os cuneiforme II dhe III; në os cuboideum dhe në metatarset 2 – 4-të e në bazat e tyre. Ky muskul afron dhe rrotullon nga brënda këmbën dhe ndihmon në fleksionin plantar të saj. - M. Flexor digitorum longus është muskul i gjatë bipenat, që në pjesën fundore ndahet në 4 tendine sekondare. Fillon nga 1/3 e mesme e faqes së pasme të tibias; tendini distal kalon poshtë retinakulit të muskujve fleksorë, prapa malleolus medialis dhe vendoset në shputën e këmbës, i mbuluar nga m. flexor digitorum brevis. Tendini fundor ndahet në mesin e tabanit të këmbës në 4 tendine sekondare, të cilët, në nivelin e artikulacionit metatarso – falangeal kalojnë në vaginën osteofibroze të shputës së këmbës. Tendini i m. flexor digitorum longum hyn në hiatus tendineus të m. flexor digitorum brevis dhe mbaron në bazën e falangës së tretë të gishtave të këmbës 2 – 5-të. Ky muskul përkul gishtat e këmbës dhe kryen fleksionin plantar të saj. - M. Flexor hallucis longus është muskuli më i jashtëm i këmbës, me strukturë myskulare në pjesën e sipërme dhe tendinoze në pjesën e poshtme. Fillon nga sipërfaqja e jashtme e fibulës në ¾ e poshtme të saj dhe në pjesën e poshtme të membrana interossea. Fijet muskulare vazhdojnë me tendin, që kalon prapa malleolus medialis dhe vendoset në tabanin e këmbës; kryqëzon lart tendinin e m. flexor digitorum longus, zhvendoset më në brendësi dhe mbërrin në gishtin e madh, në falangën e dytë të tij. Ky muskul përkul falangën e dytë të gishtit të madh mbi falangën e parë dhe këtë të fundit mbi metatarsin e parë; njëkohësisht ndihmon në rrotullimin nga jashtë të këmbës. - M. Popliteus është muskul i shkurtër, i vendosur prapa artikulacionit të gjurit. Fillon nga epikondili lateral i femurit dhe mbaron në pjesën e sipërme të tibias. Ky muskul ndihmon në përkuljen e kërcirit. Muskujt e këmbës Muskujt e këmbës ndahen në: - Muskujt ekstensorë (shtrirës të gishtave); të vendosur në shpinën e këmbës (dorsum pedis), - Muskujt fleksorë (përkulës të gishtave); të vendosur në tabanin e këmbës (plantis pedis). Muskujt e shpinës së këmbës (ekstensorë): - M. Extensor digitorum brevis fillon nga sipërfaqja e jashtme e kalkaneusit me venter të shkurtër, që jep 3 – 4 tendine me drejtim oblik lateralisht – medialisht, të cilët mbarojnë në falangat e gishtave nga 2 – 5-të. Ky muskul shtrin gishtat e këmbës. - M. Extensor hallucis brevis fillon nga sipërfaqja e përparme dhe e sipërme e kalkaneusit, kalon pjerrtas në tendin dhe mbaron në bazën e falangës së parë të gishtit të madh. Ky muskul shtrin gishtin e madh të këmbës. Muskujt e tabanit të këmbës (fleksorë) Këta muskuj ndahen në tre grupe: - Muskujt medialë të brëndshëm (të gishtit të madh të këmbës), - Muskujt lateralë ose anësorë (të gishtit të vogël të këmbës), - Muskujt e ndërmjetëm (muskujt plantarë). Ndërmjet muskujve lateralë dhe të ndërmjetëm formohet sulcus plantaris lateralis, ku kalojnë enët e gjakut dhe nervat lateralë, ndërsa ndërmjet muskujve medialë dhe të ndërmjetëm formohet sulcus plantaris medialis. Muskujt medialë: - M. Abductor hallucis është muskul largues i gishtit të madh, që fillon nga tuber calcanei dhe os naviculare, kalon në tendin që ndahet në dy pjesë dhe mbaron me anën e një kocke sezamoide në gishtin e madh. Ky muskul largon gishtin e madh nga të tjerët. - M. Adductor hallucis ka dy koka: caput obliquum, që fillon nga os cuboideum dhe caput transversum, që fillon nga kapsula artikulare e artikulacioneve 3 – 4-të metatarso – falangeal. Te dy kokat bashkohen në një tendin të përbashkët, i cili mbaron në bazën e falangës së parë të gishtit të madh të këmbës. Ky muskul afron dhe përkul gishtin e madh. Muskujt lateralë: - M. Abductor digiti minimi fillon në aponeurozën plantare dhe tuberozitetin e metatarsit të 5-të; përfundon në falangën e parë të gishtit të pestë. Ky muskul largon gishtin e 5-të. - M. Flexor digiti minimi brevis fillon nga lig. plantare longum dhe mbaron në falangën e gishtit të 5-të. Ky muskul ndihmon në përkuljen e gishtit të 5-të. - M. Opponens digiti minimi nuk eshtë konstant; fillon nga lig. plantare longum dhe mbaron në falangën e gishtit të 5-të. Muskujt e ndërmjetëm: - M. Flexor digitorum brevis fillon nga procesi medial i tuber calcanei me bark të shkurtër, vendoset në mes të tabanit të këmbës dhe jep 4 tendine që mbarojnë në të dyja anët e falangave të mesme të gishtave nga 2 – 5-të. Tendini i këtij muskuli formon një çarje ku kalojnë tendinet e m. flexor digitorum longum. Ky muskul përkul gishtat duke shkurtuar gjatësinë e këmbës dhe njëkohësisht thekson harkun e këmbës. - M. Quadratus plantae është muskul katror që fillon në faqen laterale dhe mediale të kalkaneusit dhe fiksohet në buzën anësore të tendinit të m. flexor digitorum longum. Ky muskul ndihmon në përkuljen plantare të falangës së dytë të gishtit të madh të këmbës dhe në tërheqjen e m. flexor digitorum longus sipas aksit gjatësor të këmbës. - Mm. Lumbricales janë 4 tufa muskulare në formë boshti që gjënden ndërmjet hapësirave të tendineve të m. flexor digitorum longus. Muskujt lumbrikalë lateralë janë tre (3 – 5-të) dhe fillojnë me dy koka; ndërsa i dyti fillon me një kokë nga tendini i gishtit të dytë dhe fiksohet në falangat e gishtave 2 – 5-të duke kaluar në aponeurozën e tyre distale. - Mm. interossei gjënden në hapësirat ndërmjet kockave metatarsale. Dallohen katër mm. interossei dorsales dhe tre mm. interossei plantares. - Mm. interossei dorsales janë katër muskuj që fillojnë me dy koka nga faqet kundrejt njëra – tjetrës të kockave metatarsale 1 – 4-të. Tendini distal i muskulit të parë fiksohet në bazën e falangës bazale përkatëse; i dyti dhe i katërti fiksohen në anën laterale të falangës bazale të gishtit 2 – 4-të. - Mm. interossei plantares janë tre muskuj që shtrihen midis metatarseve 2 – 5-të; duke filluar nga ana mediale e këtyre kockave dhe lig. plantare longum; më tej fiksohen në buzët mediale të falangës bazale të gishtit 3 – 5-të. Veprimi i këtyre muskujve ndikon në afrimin (aduksionin) e ketyre gishtave të këmbës.

Use Quizgecko on...
Browser
Browser